Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK-ja në zgjedhjet lokale që u mbajtën dy ditë më parë ka pasur një rikthim të madh.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, tha se 17 tetorin do ta kujtojnë me krenari, siç e kujtojnë 14 shkurtin si mësim.
“Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë”, thotë ai.
Tutje, Abdixhiku shton se ky ishte një rikthim i madh i LDK-së.
“Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi”, shkruan ai.
I pari i LDK-së tha se në këto zgjedhje është treguar maturi demokratike në të gjitha proceset.
“Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht pa dallim. Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë”, shkruan ai.
Po ashtu, ai uroi të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën.
“I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim”, shkruan Abdixhiku. /Telegrafi/