Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Regjistrimi masiv është përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve të Luginës nga Serbia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullisisë, duke thënë se rezultati i këtij procesi ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave kolektive e kombëtare.

Abdixhikiu në një takim me liderët institucionalë dhe të partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës tha se koordinimi i vazhdueshëm me partitë politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë është detyrë që duhet ta përmbushim të gjithë.

“Të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e më gjerë, duhet t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim të popullsisë në Serbi, ngase pasqyrimi i saktë dhe i drejtë i numrit të shqiptarëve etnik në këto anë është i domosdoshëm. Rezultati i këtij procesi ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave kolektive e kombëtare. Po ashtu ka ndikim edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe zhvillimit të përgjithshëm të asaj zone shqiptare”, theksoi kryetari Abdixhiku.

Sipas tij, LDK angazhohet fuqishëm për të drejtat civile dhe politike të shqiptarëve në Luginë e më gjerë, me theks të veçantë për njohjen e shtetësisë së tyre si banorë në Republikën e Kosovës.

“LDK është e përkushtuar në ndërtimin e frymës unifikuese për mbështetje të shqiptarëve etnik në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për realizimin e të drejtave të tyre”, tha kryetari Abdixhiku

Exit mobile version