Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Qeveria PAN çdo ditë lë nga 44 kosovarë pa punë

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë Haradinaj se përmes buxhetit të miratuar për vitin 2019 ka humbur 16 mijë vende pune.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për secilën ditë të Qeverisë PAN, nga 44 kosovarë mbesin pa punë.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Buxhetit 2019 e konfirmon se gjatë vitit të shkuar janë humbur hiq më pak se 16,000 vende pune. Jo që s’janë shtuar vende shtesë, por janë humbur edhe ato ekzistueset. Të dhënat e tyre, numrat e tyre, buxheti i tyre. Ky është një rekord i ri – gjithsesi i zi për shtetin tonë.

Pra, për secilën ditë të Qeverisë PAN, nga 44 kosovarë mbesin pa punë. Secila ditë punë e kësaj Qeverie është ditë papunësie për 44 kosovarë të rinj. Ditë e rëndë për 44 familje kosovare.

Jo që pritej ndryshe. Një qeveri e zënë me kapje institucionale e me rehatime partiake s’mund të prodhoj zhvillim për qytetarët e vet. Një qeveri që mendon vetëm për zëvendësministrat e vet, gati 100 sosh; që falë borxhe, paguan dënime e rahaton militantë në ndërmarrje publike s’mund të krijojë punë për askënd. S’dinë, s’duan, s’munden”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/

Exit mobile version