Telegrafi

Abdixhiku: Qëndresa e Jasharajve ishte rilindja e jonë kombëtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku deklaroi se qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerekshekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Sipas tij, qëndresa e Jasharajve ishte rilindje e jona kombëtare.

Gjatë fjalimit në seancën për nder të Epopesë së UÇK-së në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku u shpreh se rënia në altarin e lirisë së Adem, Hamëz e Shaban Jasharit dhe 56 anëtarëve të tjerë të familjes Jashari nuk ishte vetëm një histori sakrifice por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që s’mund të ndalej më.

“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fondamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të Kosovës të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj, e që një çerekshekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë. Qëndresa e tyre përballë forcave të shumta ushtarake e policore serbe ishte zgjim i përbrendshëm për fatin tonë kombëtar, të shkruar tashmë nga një sakrificë që s’mund të kapërcehej asnjëherë”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shtoi se qëndresa e sakrifica e Jasharajave u shndërrua në thirrje që u dëgjua jo vetëm nga djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe nga e gjithë bota.

“Ajo u bë motiv i djemve e vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në rreshtimin më të madh historik të vendit, u sakrifikuan në vet themelin e shtetit tonë të ri. Komandanti i rënë i tyre, kishte lënë ndjekës që do t’i ndërtonin historitë më të bukura të vendit tonë. Kjo thirrje e tyre u dëgjua dhe nëpër botë, mes aleatëve tanë, që në orët tona më të rënda, na u gjinden në krah. Sepse Adem Jashari, familja e tij, siç dhe thoshte Presidenti Rugova, po mbronin pragun e shtëpisë’, vijoi ai.

Abdixhiku u shpreh se thirrja e Jasharajve vjen si rikujtim i përditshëm i obligimit për vendin pasi shteti është trashëgimi e burrave dhe grave më të mëdhenj të vendit.

“Thirrja e Jasharajve, vazhdon të dëgjohet edhe sot. Ajo na kumbon edhe sot, në këtë sallë e në këtë seancë. Ajo na vjen si rikujtim i përditshëm i obligimit tonë për vendin, barrën e trashëguar nga të tjerët para nesh e trashëgiminë e domosdoshme që duhet ta lëmë tek të tjerët. Ajo na vjen si thirrje për përbashkim të brendshëm, për atdhedashuri të pashtershme, e për angazhim të mbarë e të drejtë në çdo veprim tonin. Këtë liri, këtë shtet, të ardhmen si mundësi, e kemi si trashëgimi të shenjtë dhe të shtrenjtë, të ndërtuar nga burrat e gratë më të mëdhenj të kohës”, tha Abdixhiku.

Ai tha se qëndresa e Jasharajve ishte rilindja e jonë kombëtare dhe që duhet të mbajë vendin në rrugë të drejtë.

“I nderuari baci Rifat, sot në Prekaz më tha që dhimbjen e keni kapërcyer por qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familjar, një çerekshekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e juaj atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja e juaj sot, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë në rrugën përpara”, përfundoi ai.

Abdixhiku në përvjetorin e 25-të të Epopesë së UÇK-së kujtoi e nderoi të gjithë të rënët e lirisë si dhe familjarët e të rënëve si dhe invalidët e luftës. /KP/