Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur takimet me qytetarë për planifikimin e programit qeverisës.
Në kuadër të nismës për takime rajonale, të enjten mbrëma në Lipjan, u tha se në vjeshtën e këtij viti do të publikohet programi, “Lidhja për të Ardhmen”, për çka u potencua se do të përfshihen edhe kërkesat e qytetarëve.
Gjatë takimit me qytetarë të rajonit të Prishtinës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij do të ofrojë qeverisje të pastër, profesionale dhe gjithëpërfshirëse.
“Ne do të ofrojmë qeverisje të pastër, të zotë, profesionale dhe gjithëpërfshirëse. Në anën tjetër do të fillojmë me një program politik që është përparimtar dhe progresiv dhe zhvillimor për të gjithë Kosovën. Sot do të flasim për dixhitaizimin, planifikimin dhe transformimin e shërbimeve komunale”, tha ai.
Abdixhiku nuk la pa kritikuar edhe Qeverinë Kurti të cilën e quajti të paaftë.
“Kosovës sot i duhet një projekt i qartë politik dhe shpresëdhënës që siguron zhvillimin ekonomik dhe euroatlantik. Kosova se ka luksin të mbesë peng i të shkuarës dhe aq më pak populizmit dhe propagandës… Vendi ynë është peng i populizmit, arrogancës së pushtetit dhe jo kompetencës qeverisëse. Për këtë arsye jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë kurrë më e pasigurtë sikurse siç është e ardhmja euroatlantike. Pushteti populist ka kohë që ka treguar dhe dëshmuar paaftësinë në Kosovë. Këtë paaftësi sot gjejmë krizën e jashtëzakonshme ekonomike, çmimet e larta zymtësinë qeverisëse në politikë të brendshme dhe të jashtme”, tha ai.
Nga ana tjetër, tre kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës që vijnë nga LDK premtuam dixhitalizim më të madh.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se krijimi i “Prishtinës së mençur” është prioritet i tij.
“Aspekti i dixhitalizimit në komuna, respektivisht në Prishtinë, është një proces me interes të madh për arsye se na mundëson qasjen në informata… Përmes Prishtina Online qytetarët do të ketë një qasje të lehtë dhe transparente në formën dixhitale”, tha ai.
Përkrahje për idetë inovative ofroi edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.
“Lipjani e ka ofruar një model të mirë qeverisës, Lipjani është një storie e suksesit, jo vetëm në transformim vizual, por transformimi i madh në Lipjan ka ndodhur në të gjitha sferat”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i komunës se Obiliqit, Xhafer Gashi, mes tjerash tregoi edhe arsyet e bashkëngjitjes së tij në LDK.
“Kur e kam pyet Lumin, çka bënë t’i për Obiliqin, me ka thënë veç një fjalë, ‘do t’i trajtoj qytetarët e Obiliqit si të gjithë qytetarët e Kosovës’. As nuk na ka premtuar ministra, apo pozicione, por vetëm se qytetarët e Obiliqit do t’i trajtojë njëjtë si gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.
LDK do të mbajë gjithsej shtatë takime rajonale me qytetarë në të gjithë Kosovën.