Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend.
Ai ka theksuar se rruga e re si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri.
“Gjatë javëve të fundit kam takuar gazetarë, ligjërues universitarë, bizneset më të mëdha në vend e organizata të shoqërisë civile. Do të vazhdojmë takimet me secilin grup shoqëror në vend. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kjo gjendje e sotme, nuk është fytyra jonë e vërtetë. Kjo gjendje e sotme nuk na përfaqëson”, ka shkruar Abdixhiku.
I pari i LDK-së, ka ftuar qytetarët që të mbështesin “Rrugën e re”, si zgjidhja e vetme për situatën aktuale.
“Pavarësisht bindjeve që mund t’i kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, ju ftoj të mbështesni Rrugën e re. Rrugën që s’bën gabimet e së shkuarës e ndalon theqafjen e tashme. Rrugën që s’merret me të kaluarën, por thjeshtë na bën të ardhmen”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/