Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Pushteti po i frikësohet hetimit të shtrenjtimit të energjisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se mazhoranca parlamentare sot refuzoi formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike. Sipas tij, ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit.

Kuvendi i Kosovës dështoi që të votonte kërkesën e partive opozitare Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të votohej për një mocion procedural që të futej në rend dite pika e formimit të komisionit parlamentar.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku këtë komision e ka konsideruar si një kërkesë legjitime për zbardhjen e së vërtetës mbi shpenzimin e 100 milionë eurove subvencione e shtrenjtimit të faturave energjetike

Ai përmes një shënimi në Facebook ka thënë se pjesë e hetimit do të ishin edhe punësimet nepotike në KEK.

Lexo po ashtu LVV: Opozita tentoi kundërligjshëm të formojë Komisionin Hetimor – edhe abuzues edhe demokratik nuk rrinë bashkë

“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të. Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”.

Abdixhiku ka thënë se momentalisht s’ka interes tjetër më madhor se hetimi i shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike.

“Kemi qenë konstruktiv në secilën nismë; kemi qenë mbështetës në secilin interes. Kjo sjellje e jonë duket se është marrë si e mirëqenë. Sot, s’ka interes tjetër më madhor se sa hetimi i shtrenjtimit enorm të faturave që prekin secilën shtëpi e familje në Kosovë – e zbardhja e fatit të qindra milionave të shpërndara si subvencion. Kushdo që frigohet nga ky hetim, ka se çfarë të tregojë”.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës por edhe vet Abdixhiku, kanë premtuar se nuk do të votojnë asnjë ligj derisa ky organ ligjvënës të votojë për themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë.

“Prandaj, pa themelimin e këtij Komisionit Hetimor në Kuvend, pa gjetjen e së vërtetës rreth krizës energjetike në Kosovë – asnjë nismë tjetër parlamentare nuk do të merr mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar tutje Lumir Abdixhiku./Telegrafi/

Exit mobile version