Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklamimeve të ministrit të Financave, Hekuran Murati për gjoja se ka rënie të çmimeve.
Sipas Abdixhikut, ky deklarim i pushtetit është një tjetër përpjekje për mashtrim, duke shtuar rritja e tyre po vazhdon.
“Pushteti na thotë se çmimet janë normalizuar. Një tjetër përpjekje mashtrimi. Po ja u vizatoj. Çfarë është blerë me 105 euro në shkurt të vitit 2021, sot duhet të blihet me 127 euro”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
“Dhe rritja vazhdon. Sepse paaftësia kushton e propaganda s’bën zgjidhje. Burimi: Agjencia e Statistikave, nga vet Zyra e Kryeministrit”, përfundon ai.
Ditë më parë, Murati është shprehur se çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit.
“Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3 për qind, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë. Çmimet kanë filluar t’i kthehen normalitetit”, ka thënë Murati. /Telegrafi/