Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka prezantuar nënkryetaren e re të kësaj partie, Shqipe Mjekiqin, për të cilën ka thur lavde, duke e cilësuar si një femër të zonjën që ka studiuar në universitete të famshme evropiane.
Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku, ka njoftuar se Mjekiqi nga sot do të jetë pjesë aktive e LDK-së, dukë thënë se ajo mbetet motiv i aktivizimit politik për të rinjtë e të rejat e për profesionistët e vendit tonë.
“Shqipe Mjekiqi, e doktoruar në fushën e shkencave politike në Trinity College në Dublin, nga sot do të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“Shqipja i ka të përfunduara studimet bazike në Universitet të Prishtinës, ndërsa ka kryer studimet postdiplomike në London School of Economics (LSE) në Britani të Madhe. Si pjesë e kualifikimit të saj akademik, Shqipja ka studiuar ndikimin e sistemeve zgjedhore në sjelljen legjislative nëpër shtetet evropiane”.
“Një ligjëruese univeristare; bashkëpunëtore e jashtëzakonshme, nënë e dy fëmijëve – Shqipja, nga sot, pasuron radhët tona politike në aktivitetin e bollshëm që na pret përpara. Ajo mbetet motiv i aktivizimit politik për të rinjtë e të rejat e për profesionistët e vendit tonë. Mirë se vjen”, shkroi Abdixhiku, njofton Telegrafi.
Përveç Mjekiqit, nënkryetarë të LDK-së sot janë zgjedhur edhe Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri dhe Anton Quni.