Kandidati për deputet i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili aderoi në këtë parti në prag të fushatës parazgjedhore, thotë se LDK nuk duhet të zhgënjehet nga rezultatet e dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.
Ai thotë se do të punojnë për një rrugëtim të ri. Ndërsa pohon se populli e do PAN-in në opozitë dhe se këtë vullnet të popullit LDK duhet ta përmbushë, duke respektuar në plotni votën e popullit.
“Miq, përkrahës tanë. Kokën lart. Arsyet për zhgënjim duhet t’i zëvendësojmë me punë e përkushtim, me korrigjim të lëshimeve – me rikthim. Ky është veçse fillimi. Një rrugë e gjatë na pret përpara, e LDK-së do t’i dalim zot – për këtë të mbeteni të sigurt. Një falënderim për secilin votues tonin. Secili që ndau të njëjtin besim. Nuk kemi me ju zhgënjy. Përkundrazi, do të punojmë që t’i bindim edhe të tjerët për rrugëtimin tonë të ri. Mirënjohje të veçantë për të gjithë vullnetarët e aktivistët tanë që u angazhuan mëngjes e mbrëmje secilën ditë. Populli foli. Ata duan PAN-in në opozitë. Këtë vullnet të tyre LDK duhet dhe do ta përmbushë. Vota e juaj do të respektohet në plotni”, tha ai. /KP/