Akuzave të Dardan Molliqajt se “LDK-ja për pushtet e pranon edhe PDK-në”, i është përgjigjur deputeti Lumir Abdixhiku.
Deputeti i LDK-së nëpërmjet një postimi në facebook, ka thënë se PSD-ja “paradite del në konferencë me PDK-në, e në mbrëmje e akuzon LDK-në”.
Abdixhiku këtë veprim e ka cilësuar si hipokrizi. Ai ka ironizuar në fund të postimit, duke shkruar se “nuk u reagojnë partive nën 2%”.
“PSD para dite del në konferencë – gojë vesh më vesh – me PDK-në; në mbrëmje na akuzon neve LDK-në për afrim me ta. Hipokrizi, asgjë më pak. P.S. Zakonisht partive nën 2% s’u reagojmë. Po e bëj një përjashtim”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.
Këto reagime vijnë pas një postimi të deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj i cili tha se LDK po lëviz drejt bashkangjitjes në dialog.
“Por përderisa për PSD-në asnjëherë dialogu nuk është shfrytëzuar për të fituar pushtet për vete, për LDK-në synimi dhe kushti i vetëm për t’u përfshirë qenkan nëse ajo merr pushtet. Qoftë përmes zjedhjeve, qoftë pa zgjedhje por vetëm me riformatim të qeverisë – siç deklaroi sot Isa”, shkroi Molliqaj. /Telegrafi/