Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ministria që drejton ai e ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
“Duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës, mbështetur në Vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizmit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërsa dje, ministri Abdixhiku kishte marë vendim për anuluar tenderin 110 milionësh për ndërtimin e autostradës së Anamoravës. /Telegrafi/