Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Nuk ka grupacione brenda LDK-së, nëse gjejmë balancën fitorja është e pashmangshme

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se problemet e grumbulluara në parti tashmë janë tejkaluar dhe se nëse gjejnë balancën fitorja e LDK-së do të jetë e pashmangshme.

“Fitorja e ardhshme e LDK-së dhe qeverisja jo për një mandat por afatgjatë e vë në pozicion të favorshëm pozicionin tonë politik. Nëse nuk arrijmë diferencat e vogla t’i zgjidhim mes vete atëherë s’kemi çka hipim në qeverisje të Kosovës”, tha Abdixhiku në Zona B të Klan Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se brenda partisë ka persona me ambicie, por që mohon se ka ndasi.

“Nuk ka grupacione brenda LDK-së. Ambicionet janë legjitime për dikë që merret me politikë. Besoj se ka njerëz me ambicie brenda LDK-së. Qeverisja e LDK-së do të përcaktohet nga ekipi fitues dhe qetësia e brendshme partiake. Qëllimi i LDK-së është gjetja e unitetit brenda partisë, nëse e gjejmë këtë, pjesa e garimit në zgjedhje do të ishte fazë shumë e lehtë”.

“Zhvillimet e fundit kanë qenë të shpejta. Por LDK po formon dy platforma njëra për dialogun, tjetra për zgjedhjet. Fakti që kemi artikuluar vullnetin politik nënkupton se jemi të gatshëm për t’u futur në zgjedhje të parakohshme”.

“Edhe po të ketë divergjenca dhe dallime të veprimeve brenda partisë janë normale për një parti demokratike. Po besoj se sot jemi me një zë nën ombrellën e kryetarit të partisë dhe kjo të jep garanci se mund të garosh pa barrë të madhe përballë kundërshtarëve politikë. Gjenerata e re që ka ardhur në LDK nuk ka ardhur për të mposhtur gjeneratën e vjetër. Ideja e prurjes së gjeneratës së re s’ka qenë pastrimi i partisë. Është mjet shtesë për të marrë pëlqim. Debatet e brendshme janë shenjë e pjekurisë politike”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se partia e tij është sui-generis për nga përbërja e gjeneratave brenda saj.

“Nuk shoh problem në përbërjen politike brenda LDK-së, por që është përparësi që s’e ka asnjë parti politike. LDK ka lider të partisë që po ushtron aktivitetin e vet politik ndonëse në kushte të rënda shëndetësore. Në zhvillimet e deritanishme, në zgjedhje ka garuar me potencialin e plotë. Në momentin e tanishëm do të duhej të ishte uniteti i partisë, që është qëllim në vete”, ka thënë Abdixhiku.

“Nëse s’e kemi unitetin do ta kemi të vështirë garën me partitë tjera. Kundërshtitë nuk gjenden brenda LDK-së. LDK ka ditur t’i zgjidh këto çështje ndonëse kanë qenë me kosto të madhe si ndarja e vitit 2006. LDK do të duhet të tregojë pjekurinë e vet politike më gjithë divergjencat”.

“Nëse vendosin ta ndajmë partinë në grupacione të moshës dhe jo në bazë të ideve do të humbim, sikur që do ta anashkalojmë historinë 30 vjeçare të LDK-së. Nëse e gjejmë balancën fitorja jonë do të jetë e pashmangshme” është shprehur Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se nëse LDK nuk do të arrijë që t’i tejkalojë diferencat – që sipas tij janë të vogla, atëherë subjekti i drejtuar nga Isa Mustafa s’ka pse të marrë qeverisjen e shtetit.

Exit mobile version