Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë kundër çfarëdo nisme që është për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja ëshrtë kundër ndërhyrjes së politikës në drejtësi.
“Sa i përket Gjykatës Speciale është shumë e qartë për LDK-në, e kemi votuar formimin e saj, kur është dashtë të shfuqizohet e kemi kundërshtuar shfuqizimin e saj, kundërshtojmë çfarëdo tendence për shfuqizimin e saj. Për më tepër e kundërshtojmë çfarëdo ndërhyrje të politikës në drejtësi, përfshirë edhe Gjykatën Speciale që është megjithatë e Kosovës”, ka deklaruar i pari i LDK-së në Klan Kosova.
“Ajo çfarë kemi kërkuar vazhdimisht është që shteti të ofrojë mbrojtje për njerëzit e Kosovës dhe i ka siguruara ata edhe në aspektin financiar me mbështetjen me mbrojtjen e avokatëve. Kemi siguruar të mbrohet edhe kontributi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse e shohim luftë të shenjtë të paprekshme, pjesë e një përpjekje kolektive të popullit shqiptar në vazhdimësi”.
“Sot me 6 maj e kemi datën e vrasjes së profesor Fehmi Aganit, intelektual i rrallë, themelues i shtetit e Kosovës. Po ashtu e kemi përvjetorin e rënies së Luan Haradinajt në kufirin shqiptaro-shqiptar, kjo është ajo çfarë ka Kosova si vlerë, përpjekja për çlirimin e lirisë së Kosovës nuk është e njëanshme është e të gjithëve. Nuk është se lufta dhe lëvizja paqësore janë në konflikt me njëra-tjetrën, ato kanë qenë përpjekje të gjeneratave të tëra. E them edhe njëherë te mos kemi ndërhyrje në procesin e drejtësisë, ai është i pavarur i tillë duhet të mbetet dhe duhet të respektohet çdo vendim”.
Abdixhiku ka thënë se e beson që Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë para drejtësisë në Hagë,
“Duke e njohur Donikën nuk besoj se ka bërë një gjë të tillë, as nuk dua të besoj. Besoj se deklarimet politike duhet të jenë më të ndjeshme duhet pasë kujdes për t’i mos ashpërsuar këtë ambient që është shumë sensitiv”, ka thënë Abdixhiku.