Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Nuk bëhet parti e re me fotografi në Facebook

Njohësi i rrethanave politike dhe analisti Lumir Abdixhiku, ka mohuar angazhimin në Iniciativën e Re të Ilir Dedës dhe Mimoza Kusari-Lilës, derisa ka thënë se në Kosovë nuk krijohet parti duke postuar fotografi në Facebook.

Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Abdixhiku ka thënë se me Dedën për herë të fundit është takuar para një viti, ndërsa me Kusari-Lilën është takuar për herë të fundit para katër vjetësh.

“Nuk mund të bëhet parti me foto në Facebook dhe kjo çështja që qytetari është lider i partisë është e paprecedent, sepse nuk ka parti pa udhëheqje. Kjo është si me thënë: ‘Më katolik se papa’”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se çështjet politike i merr me sport serioz, por ka thënë se iniciativat e reja politike tani kërkojnë bashkërendim, sesa individualizëm dhe se kërkon energji të madhe.

“Kërkon energji të madhe. Nuk kërkon intervista televizive, nuk kërkon fotografi në Facebook”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se deri më tani është angazhuar për një ide të politike e cila do të instalohej në partitë aktuale, por sipas tij, realizimi i kësaj ideje në Kosovë është shumë e vështirë.

“Unë jam angazhuar për një ide të re politike që mundet të instalohet në partitë aktuale, por është e vështirë. Kish me qenë ideale dhe është shumë më lehtë kështu të lindej një gjeneratë e re e mendimit të ri politik në Kosovë”, ka thënë ai.

“Kjo reformë është e pamundur. Jo e pamundur, por shumë e vështirë”, tha Abdixhiku.

Exit mobile version