Telegrafi

Abdixhiku ngushëllon familjet Pacolli e Visoka pas aksidentit në Lepenc

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për familjet Pacolli dhe Visoka me rastin e aksidentit tragjik në lumin Lepenc.

Pas rreth 30 orë kërkimesh, policia ka gjetur tre trupat e pajetë (qytetarë të Kosovës), të cilët pas një aksidenti në trafik të ndodhur të shtunën mbrëma, përfunduan në lumin Lepenc. Viktimat i përkasin familjes së njëjtë, një çift burrë e grua dhe djali i tyre i mitur.

Në veturën me targa të Kosovës ishte edhe djali tjetër i çiftit, i cili ka arritur të dalë dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori” në Shkup. I njëjti është në gjendje të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur policia maqedonase.

E Abdixhiku i ka uruar shërbim të shpejtë të mbijetuarit të këtij aksidenti.

“Rasti tragjik në lumin Lepenc na tronditi të gjithëve. Në këto çaste të rënda, në emrin tim dhe të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve Pacolli dhe Visoka, si dhe shërim sa më të shpejtë dhe të plotë Shkëlqimit i cili mbijetoi nga ky aksident i rëndë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje për ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, të gjitha ekipeve të shpëtimit nga Maqedonia e Veriut e nga Kosova si dhe të gjithë vullnetarëve, të cilët janë angazhuar në gjetjen e trupave. /Telegrafi/