Në orët e mëngjesit të së shtunës është sulmuar kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Ai është sulmuar rreth orës 08:50 në rrugën “Bill Clinton” në Pejë nga dy persona.
Rastin e sulmit e ka konfirmuar Policia e Kosovës, ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Pejë është bërë e ditur se dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
E pas sulmit, kryetarin e Pejës e ka vizituar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Vizituam mikun tonë Gazin dhe familjen e tij, në shtëpinë e tij në Pejë. E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashtershme.
I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti të ulët; e në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji!”, shkruan Abdixhiku. /Telegrafi/