Në përvjetorin e 23-të të sulmeve terroriste mbi Kullat Binjake në New York, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar tragjedinë e 11 shtatorit 2001 dhe ka shprehur solidaritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një mesazh të publikuar për këtë rast, Abdixhiku theksoi se sulmi, i cili mori jetën e rreth 3000 njerëzve të pafajshëm, ishte më shumë se një akt dhune, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj vlerave të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës që ndajnë vendet demokratike në mbarë botën.
“Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por për gjithë botën perëndimore; një sulm mbi vlerat demokratike perëndimore,” theksoi ai.
Teksa kanë kaluar mbi dy dekada që nga kjo ngjarje tragjike, Abdixhiku përmendi rëndësinë e kujtimit të viktimave dhe të solidarizimit me familjarët e tyre, duke shtuar se Kosova do të mbetet gjithmonë një aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara.
“Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë,” përfundoi ai.