Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si çmenduri vendimin e Gjykatës Komerciale për të bllokuar punimet e ndërtimit të “Rrugës A” në kryeqytet.
Abdixhiku ka thënë se punimet kanë mbetur në gjysmë për shkak të një gjykatëse e cila është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, i pari i LDK-së është shprehur se kryeqyteti ka mbetur pa projektin më të madh kapital.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë”.
Abdixhiku në fund ka paralajmëruar se “Rruga e Re dhe Rruga A nuk do të ndalen”.
“Prishtina dhe Kosova do të bëhen!”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, shkalla e parë e Gjykatës Komerciale ka marrë vendim për të bllokuar punimet e ndërtimit të “Rrugës A”.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se vendimi është i ndikuar politikisht duke përmendur emrin e gjyqtares Vlora Pacolli që është motra e Fitore Pacollit – deputete e LVV-së./Telegrafi/