Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së, pas mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka renditur disa arsye të cilat thonë se e shpjegojnë kundërshtimin e tij dhe të LDK-së ndaj rishikimit të buxhetit dhe ligjit të Veteranëve të UÇK-së.
Së pari sipas Abdixhikut, fondeve të sigurimeve shëndetësore u janë hequr miliona euro për të paguar militantët partiakë që kanë hyrë në lista të veteranëve pa të drejtë. Ai thotë që kostoja ka arritur në 70 milionë euro, e mund të arrijë 100 milionë euro.
Por ndaj vlerësimeve të tij kanë reaguar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe deputeti i PDK-së, Andin Hoti.
Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook:
Qenkan çu deputetët e ministrat e Kadrisë rend, me akuza ndaj meje e LDK-së për kritikat e bëra sot ndaj buxhetit dhe Ligjit të Veteranëve.
T’ua shpjegoj për pak qytetarëve, se këta s’marrin vesh.
– E para, buxhetit u janë hequr miliona euro nga fondet e parapara të sigurimeve shëndetësore për t’i mbuluar listat e fryra të veteranëve. Derisa spitalet na mbesin pa barna, pa penj e pa oksigjen, mafia e pushtetit i zgjeron listat fallco për qëllime zgjedhore.
– E dyta, listat e veteranëve janë fryrë. Në to janë futur padrejtësisht me mijëra individë – militantë partiak – që s’kanë patur lidhje me luftë. Për këtë veprim, Prokuroria e shtetit ka nisur edhe hetim. Ne sot të tillët i paguajmë; plot 50 mijë. Sot derisa flasim, certifikatat e veteranëve lëshohen ende; e kostot buxhetore kanë arritë në 70 milion euro në vjet. Me këtë ritëm do të mbërijmë deri në 100 milion. Këta s’kanë kufi.
– E treta, LDK ka miratuar ligjin me të cilin kërkon riklasifikimin e veteranëve. Pra ligjin që bën ndarjen e atyre që kanë luftuar prej atyre që kanë kënduar e qëndruar jashtë Kosovës – e sot marrin hakun e luftëtarëve tanë si veteranë. Ky riklasifikim duhet të ndodhë; listat duhet të pastrohen.
Askush s’mund të plaçkisë më në emër të luftës. Askush. Këta që kanë falimentuar PDK-në e kanë të lehtë ta falimentojnë Kosovën; por këtë s’mund ta lejojmë.