Telegrafi

Abdixhiku: Mbyllja e Klan Kosovës është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se ky është “sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë”.

Lexo po ashtu Krasniqi: Vendimi i Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, i rrezikshëm dhe i paligjshëm

“Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë. Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë. Në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion. Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tutje është shprehur se fjala e lirë do të triumfojë.

“Urdhërat e PolitByrosë nuk e mundin dot demokracinë kosovare. Shoqëria kosovare ka triumfuar dhe në përballje më të rënda. Do ta kapërcejë dhe këtë”.

I pari i LDK-së iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, gjykatave të Republikës së Kosovës, që “të bëjnë detyrën e vet. Të mbrojnë vet demokracinë”.

“Urdhërdhënësit e PolitByrosë dhe ekzekutuesit e këtyre urdhrave brenda institucioneve të shtetit, do të mbahen përgjegjës para ligjit herët apo vonë. Pushtetet janë të përkohshme, shteti mbetet i përhershëm”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/