Site icon Telegrafi

Abdixhiku: MASHT-i ka buxhet, por duhet t’i bëjë kontratat për mësuesit e fëmijëve me nevoja të veçanta

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në një intervistë për Telegrafin ka sqaruar rreth çështjes së amendamentit, që do të obligonte Qeverinë e Republikës së Kosovës të paguajë për asistentët ose psikologët për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike.

Abdixhiku ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit duhet t’ia bëjë kontratat psikologëve dhe asistentëve nëpër shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta kjo pasi sipas tij MASHT-i ka buxhet për këtë gjë.

Lexo po ashtu Nuk votuan për rritjen e numrit të mësuesve për fëmijët me nevoja të veçanta, flasin deputetët

I pyetur se pse në raste të tilla nuk ndahet buxhet, ndërsa në të tjera që mund të jenë edhe të panevojshme “lëshohet dora”, ai tha “Në komisionin ku jam ka marre e stër-marre e pa dhimbje jepet paraja publike, e këtu jemi mundu që ta reduktojmë prej rolit opozitar sepse nuk e kemi shumicën aty dhe duhet të bindim pozitën për të bërë diçka”.

Abdixhiku gjithashtu tha se opozita ka votuar në komisionin për Buxhet dhe Financa për kërkesën e rritjes së numrit të psikologëve dhe asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ministri na ka thënë që fondet janë, mirëpo për tu shfrytëzuar fondet duhet të bëhen kontratat. Edhe ministritë në mes vete nuk kanë raport me njëri- tjetrin sepse në momentin që Ministria e Arsimit i bën kontratat, ministria e financave duhet të bëj lëshimin e fondeve”, theksoi ai.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës të premten e kaluar nuk e votuan amendamentin i cili do të obligonte Qeverinë e Republikës së Kosovës të paguajë për asistentët ose psikologët për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike. /Telegrafi/

Exit mobile version