Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Masakra e Mejës është ndër ngjarjet më të dhimbshme të historisë shqiptare, ndaj ka kërkuar që “të mbahet përgjegjës secili që ka kryer krime”.
Këtë deklaratë ai e ka bërë sot në 23-vjetorin e kësaj masakre, kur bashkë me deputetë dhe asamblistë të partisë bënë homazhe te Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”.
Para mediave, i pari i LDK-së tha se “ditët dhe ngjarjet si kjo e sotmja janë shtyllë për të rikujtuar dhimbjen e popullit dhe plagët e pashëruara”.
“23 vjet më parë, këtu 376 civilë të pafajshëm prej të cilëve 36 fëmijë të gjithë nën moshën 18-vjeç janë vrarë në mënyre mizore prej forcave serbe, të cilët më pas këta trupa i kanë bartur në Serbi për t’i varrosur në një varrezë masive dhe kjo tregon në vetë natyrën e krimit serb në Kosovë dhe jo vetëm por edhe organizimin e shtetit serb në luftën e Kosovës për të fshehur këtë krim”.
“Këto ditë si e sotmja dhe ngjarje si e sotmja janë shtyllë për rikujtuar se për çdo veprim tonin të tanishëm, por mbi të gjitha shtyllë rikujtuese e dhimbjes së madhe që populli i Kosovës i kanë si plagë të pashëruara të përhershme”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se është obligim politik dhe patriotik që të zbardhet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur.
Homazhe në kompleksin memorial në Meje kanë bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca me ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të civilëve që u masakruan nga forcat serbe.
23 vjet më parë në Mejë të Gjakovës, forcat serbe vranë 376 civilë të pafajshëm. Kjo është ndër masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë luftës. /Telegrafi/