Në një intervistë dhënë për Telegrafin, deputeti i ardhshëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk ka ndonjë vendim nga ana e LDK-së se kush do të kandidojë për kryetar komune në Prishtinë.
Sipas tij, LDK ende nuk ka marr asnjë vendim për kandidatët e mundshëm në komunat e Kosovës.
I pyetur se a mund të jetë Abdixhiku, kandidati i mundshëm për kryetar të Prishtinës tha se një gjë e tillë nuk është diskutuar.
Gjatë intervistës ai tregoi se në zgjedhjet e 11 qershorit ka marrë rezultat të mirë nga vendlindja e tij, Prishtina.
“Kam marr një rezultat të pranueshmërisë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi brezi i ri ka shfaqur një sinjal të parë që gjërat do të ecin mbarë. Diku 29 mijë vota mora në gjithë Kosovën, pra ka qenë një votë e shtrirë. Prej analizave, vendlindja ime, Prishtina, më ka dhënë përkrahjen më të madhe – 1/3 e votave”, ka thënë ai.
Abdixhiku po ashtu tha se rreth 2/3 e grupit të parlamentar të LDK-së, është një përfaqësim i brezit të ri.
“Nuk kemi qenë pjesë e strukturave por pjesë e shtyrë nga strukturat. Ka të bëjë me një bashkërenditje të brezave. Është një ndërrim gjenerate në përgjithësi në strukturat politike”tha ai. /Telegrafi/