Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur zëvendëskryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka akuzuar sot LDK-në se është në gjumë të thellë dhe se po sillet si parti ekstreme duke i ngjarë VV-së.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Janë aktivizuar të gjithë; me këshilltarë, nënkryetarë e kryetarë. Analiza e psiko-analiza për LDK-në”.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
“Vazhdon ligjërimi ndaj LDK-së. Këtë herë na paska “këshilluar” njëri nga 40 e sa nënkryetarët e PDK-së. Se i kanë rregulluar punët e veta mosvet.
Janë aktivizuar të gjithë; me këshilltarë, nënkryetarë e kryetarë. Analiza e psiko-analiza për LDK-në. Si të veprojmë, si të sillemi, si të votojmë – taman për qejf të tyre. Çka do të bënim ne vallë pa ta?
Vetëm një hall i madh i aktivizon të tillët kështu. Veç një kompromis i rëndë me Serbinë i bën kaq aktiv – gjithsesi patetik. LDK e ka të qartë rrugën e vet. Edhe për dialog, edhe për shtet edhe për konsensuz politik. Mbi të gjitha LDK ka njerëz mjaftë që i dalin të zot në mendim e veprim. Për mendime të huaja s’kemi vend.
Gjithsesi të njejtat mund t’i përdorni lirshëm në udhëheqjen e partisë nga vendi i tretë. Aty të njëjtat ju kanë sjellë”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagimi i deputetit të LDK-së vjen pas akuzave të zëvendëskryetarit të PDK-së, se LDK po e shmang pjesëmarrjen në procesin e bisedimeve me Serbinë, shkruan Telegrafi.
“Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike”, ka thënë Hoxhaj, duke iu përgjigjur një postimi të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili e kishte cilësuar kryetarin e PDK-së provokator sikurse Serbia.
“Mashtrohet dikush nëse mendon se mund ta merr me qera LDK-në për dialog, ashtu siç kanë vepruar me të tjerët. Rugova ka drejtuar proceset më të rëndësishme të vendit, si President, por nuk ia ka dhënë LDK-në ti shërbej askujt. Vetëm Kosovës”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/