Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar disfatë poshtëruese për shtetin e Kosovës vizitën e presidentit serb në vendin tonë.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “me ose pa dije – më shumë me të dyja bashkë – liderët kosovarë caktuan kufirin e ri politik të Kosovës, duke e kthyer Vuçiqin në Mitrovicë.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
“E kthyen Vuçiqin mbrapshtë – në Mitrovicë.
Ndalojnë vizitë, e lejojnë atë. E ndalojnë sërish – por tashmë veçse pjesërisht. Presidenti i një vendi armik pasi ka caktuar kufinj të rinj; pasi ka folur për resurset e Kosovës sikur ishin të tij; është ndaluar – në i thënshin ashtu – e është kthyer jo në Serbi por në Veri.
Ndalesa tregon se ku përfundon fuqia e Kosovës; ku nisë ajo e shtetit të tij. Me ose pa dije – më shumë me të dyja bashkë – liderët kosovarë caktuan kufirin e ri politik. Ja, thanë, s’mund të vijë kurrë në Drenicë; le të kthehet në Mitrovicë. Dhe na jepen si triumfalistë.
Çfarë disfate poshtruese para vetes e botës; para shtetit të vet. Vizita – në gjithë Kosovën – nuk është dashur të lejohet në rend të parë asnjëherë”, ka shkruar Abdixhiku./Telegrafi/.