Site icon Telegrafi

Abdixhiku kritikon Agjencinë për statistikat e papunësisë

Analisti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që flet për papunësinë në Kosovë.

Ai ka veçuar këto të dhëna:

– Në Kosovë janë 1,202,489 njerëz në moshë pune;

– Prej të cilëve plot 702,238 (58.3%) janë joaktiv – pra s’kërkojnë punë (sic);

– Pjesa e mbetur, prej 500,251 kosovarëve janë forcë aktive;

– Nga ta, të punësuar janë 323,508 kosovarë (formal e joformal);

– Ndërsa, vetëm 176,743 janë të papunë;

– Rrjedhimisht, papunësia në Kosovë është rreth 35.1%.

Sipas Abdixhikut, problemi serioz mbetet në mosllogaritjen e plot 702,238 kosovarëve, përkatësisht pjesës dërmuese (plot 58.3%); të cilët, siç ka thënë ai, fshihen prej kalkulimeve të papunësisë me një vijë lapsi.

“Normë kaq të lartë joaktiviteti kanë vetëm 4 shtete tjera në botë (sipas të dhënave të Bankës Botërore), bëhet fjalë për Timorin Lindor (62.1%), Moldavinë (59.3%), Gazan (58.8%) dhe Samoa (58.5%)”, ka thënë Abdixhiku.

Vendet fqinje të Kosovës, ka thënë Abdixhiku, kanë norma shumë më të ulëta joaktiviteti, teksa ka numëruar.

“Mali i Zi (50.1%), Serbia (47.5%); Shqipëria (44.9%) e Maqedonia (44.8%) – për të dhënë një mesatare prej 46.8%. Nëse Kosova do të llogaritej se ka një fuqi punëtore joaktive sikurse regjioni – siç dhe ka gjasa të jetë – atëherë në Kosovë mund të jenë rreth 562,764 kosovarë joaktivë e 639,724 aktiv – për të dhënë në fund një papunësi prej plot 50.1% e jo 35.1%”, ka thënë Abdixhiku, përcjell Koha.net.

“Them se hapi i parë në zgjidhjen e problemit është pranimi i ekzistencës së tij”, ka shtuar ai.

Exit mobile version