Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kritikave të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, lidhur me humbjen e vlerës së kursimeve pensionale në Trust.
Sipas tij, gjysmë milioni euro është vlera e humbjeve në Trust, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për mosemërimin e Bordit.
“Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjen as brengën e as kohën të caktojë një Bord. Përderisa kursimet pensionale, të fituara me shumë mund, humbasin vlerë nga gjysmë milion euro në ditë, popullistët vazhdojnë rehatinë. Plot 36 milion euro është zhvlerësimi i fondeve nga janari deri më sot. Qeveria nuk gjen as brengën e as kohën të caktojë një Bord”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ndaj tij ka reaguar Murati, i cili duke ironizuar ka përdorur shprehjen “tell me you know nothing about financial markets, without telling me you knoë nothing about financial markets, Lumir”, që në shqip do të thotë “më thuaj se nuk di asgjë për tregjet financiare, pa më thënë se nuk di asgjë për tregjet financiare, Lumir”.
“Çmimi për njësi është 1.61 euro, dhe performanca e Trustit për vitin 2023 është -1%. Vitin e kaluar kur kishte bord, performanca e Trustit ishte -5.5%. Normalisht që nëse dikush e shikon në afatshkurtër, kështu siç po bën deputeti Abdixhiku, edhe mund të vijë në përfundim se, me bord performanca është gati 5-fish më e dobët sesa pa bord”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai tutje ka thënë se çdokush që “merr pak erë” në këtë fushë e din se performanca në afatshkurtër është më tepër rezultat i luhatjeve në treg, sesa që është rezultat i vendimmarrjes apo mosvendimmarrjes së bordit.
“Sot e dëgjova edhe deputetin Hoti, bashkëpartiakun e Abdixhikut, teksa tha që po të kishte bord Trusti, ata do të vendosnin që ti tërheqin mjetet e investuara nga bankat që kanë falimentuar. Mirëpo, me gjasë nuk e kishte njoftuar askush deputetin Hoti, e me gjasë as Abdixhikun, që vlera e aksioneve të një biznesi që falimenton në bursë (stock exchange) shkon në 0, dhe s’ka çka shitet aty. Pra, edhe me bord, nuk ka ndonjë vendimmarrje që do të ndryshonte diçka në një situatë të tillë”.
“Qëllimi i fondeve pensionale si Trusti është që mjetet t’i investojë në mënyrë të diversifikuar, pra sa më të shpërndarë, dhe me horizont afatgjatë investimi me 10 vite+. Dhe luhatjet prej 1% sikur kjo për këta 3 muaj të këtij viti mund të ndodhin edhe në baza ditore, për shkak se ka luhatje në tregje financiare, e jo sepse bordi ka marrë apo nuk ka marrë vendim”, ka shtuar Murati.
Aktualisht sipas tij, Trusti ka mbi 580 milionë euro të investuara në Kosovë, pra 450 milionë euro në bono thesari të Kosovës dhe 130 milionë tjera në depozita bankare, ndërsa pjesa tjetër është e investuar në fonde investive ose edhe ETF (Exchange Traded Funds), të cilat kanë menaxherë të investimeve dhe përshtasin portfoliot investive (shesin e blejnë) në baza ditore.
“Prandaj, edhe pretendimi se mjetet e Trustit janë pa menaxhim, është i pavërtetë. Sipas drejtorit të Trustit, vetëm 2% e mjeteve janë të painvestuara aktualisht, gjë që është plotësisht normale për një fond pensional”.
“Nga deputeti Abdixhiku, së paku kam pritur që ka më shumë njohuri për këtë fushë sesa garda e vjetër e ekonomistëve në LDK. Dhe së paku të kursente sulmet politike mbi një institucion siç është Trusti. Por kjo veç e konfirmon që as ky nuk dallon shumë nga “ekonomistët e LDK-së”. PS. Lumir, google is your friend. Mund t’ia fillosh me këtë: ‘timing the market vs time in the market’”, ka përfunduar Murati./Telegrafi/