Telegrafi

Abdixhiku: Kosova është e izoluar dhe e sanksionuar për shkak të qeverisjes së keqe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar anëtarë të partisë në Gjenevë të Zvicrës.

Nga atje, i pari i LDK-së, i ka bërë thirrje mërgatës që kontributi i tyre është i domodsoshëm “për shpëtimin kombëtar”.

Abxihiku tha se “të majtit janë bërë bashkë, në origjinë, aty ku kanë lindur të gjithë, të djathtit duhet të ringriten si një, tek shtëpia e madhe e demokracisë”.

“Ju kanë mashtruar, dhe për më tepër i keni tash bashkë në një vend! Kthejuani këtë mashtrim me përbashkim në shtëpinë e vetme të demokracisë! Lidhjen Demokratikë te Kosovës, shtëpinë e patriotëve të djathtë të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku në videon e postuar nga tubimi masiv në Gjenevë.

Abxihiku shtoi se bashkimi i së djathtës në Kosovë po ndodhë dhe se është radha e mërgatës që ta bëjnë këtë bashkim.

“Të jesh në këtë mes, të pranosh gjithë këtë mbështetje, të dëgjosh tërë këtë përkushtim, është thjeshtë mburrje dhe krenari! Prandaj për ne është nder të qëndrojmë pranë jush, është nder të jemi me ju, krah për krah, nga sot deri në fitoren e madhe të së djathtës shqiptare”, tha Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut “Kosova, pas tre viteve e gjysmë qeverisje populliste, është e izoluar, është e sanksionuar, është në zbrazje e në zvogëlim popullite, është pa investime, është pa perspektivë arsimore, shëndetësore, e ligjore”.

“Para një zymtësie të tillë e një trishtimi të tillë, patriotët e mëdhenj, të djathtit e mëdhenj, nuk mund të qëndrojnë spektatorë. Të djathtit e Kosovës s’mund të vëzhgojnë”, tha Abdixhiku.