Telegrafi

Abdixhiku: Kosova duhet të çkapet nga ndikimi politik turk

Analisti Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në facebook, thotë se Kosova duhet të ç’kapet sa më parë nga ndikimi politik turk.

Ai ka shkruar se kërkesa zyrtare e Qeverisë turke për arrestimin e Beratit (Buzhalës) për shkak të ironizimit – është një dëshmi shtesë se pse Kosova duhet të ç’kapet sa më parë nga ndikimi politik turk ndërsa ka shtuar se ironizimi si formë e shprehjes është element bazik i demokracisë e shoqërisë së lirë dhe joprimitive.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Ironizmi si formë e shprehjes është element bazik i demokracisë e shoqërisë së lirë dhe joprimitive.

Kërkesa zyrtare e qeverisë turke për arrestimin e Beratit për shkak të ironizimit – është një dëshmi shtesë se pse Kosova duhet të ç’kapet sa më parë nga ndikimi politik turk. Kjo është mendësia politike e tyre. Kështu e shohin këta jetën shoqërore; në burg për ironi – qeveria në vend të gjykatave. Kjo mendësi ndihmon veq autokracinë, primitivizmin e diktaturën. Kosovës i duhet një model tjetër.

Fatkeqësisht, është mu klasa politike kosovare që me dallaveret e allashverishet e tyre kanë lejuar shtrirjen e një mendësie të tillë në jetën ekonomike e politike këndej; kështu i kemi në banka, energjetikë, aviacion, rrugë, infrastrukturë e industri të tëra”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/