Telegrafi

Abdixhiku: Kosharja, betejë e lavdishme dhe motiv triumfi i UÇK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Koshare ku nderoi të rënët në betejën e Koshares.

Pas homazheve, Abdixhiku deklaroi se kjo betejë përveç që ishte e guximshme dhe e lavdishme, ishte edhe motiv triumfi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Sot shënojmë dhe nderojmë 9 prillin e vitit 1999-të. 23-vite me parë, burrat dhe gratë më të mirët e vendit nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar… Kjo betejë e lavdishme, e guximshme, përveç se simbolikë e thyerjes së kufirit, ishte dhe motiv triumfi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Sot nderojmë të gjithë luftëtarët, Agim Ramadani, Sali Çekaj, të gjithë heronjtë vendorë dhe të huaj po ashtu që po shohim sot këtu në këtë vend, si dhe falënderojmë të gjallët që bashkë me ta i kanë sjellë Kosovës liri”, tha Abdixhiku.

Ai tha për KP se në këtë ditë të rëndësishme nuk kanë se si mos të jenë detyrues ndaj një sakrifice të madhe, prandaj duhet të jenë të bashkuar për një Kosovë më të mirë.

“Në këtë ditë s’kemi se si mos të jemi obligues e detyrues ndaj një sakrifice të madhe që të jemi të bashkuar, të punojmë së bashku për një Kosovë më të mirë për gjeneratat e ardhshme”, tha ai.