Duke ia numëruar dobësitë dhe të metat e qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka theksuar se ekzekutivi aktual është më i dobëti, i rrezikshmi dhe më i dëmshmi për vendin.
Ai këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook.
“Në menaxhimin e parasë publike treguan pangopësi. Vendimi i parë, rritja e pagave për vete”, ka theksuar Abdixhiku.
Sipas tij, punë e madhe e tyre doli të jetë emërimi i 80 zëvendësministrave, duke shtuar se këta të fundit njihen sot për raportet e tyre “dinamike” – material për tallje kolektive.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se kjo qeveri në relacione ndërkombëtare ka prodhuar kaos, duke provuar sipas tij, shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Abdixhikut:
Për të nisur punë iu deshën 22 parti. Pjesë e marrëveshjes qeverisëse nuk ishte ndonjë program përparimtar – ishte një dokument tre faqesh mbi atë se kush e çfarë merr. Pazar hesapi. Ndanë karriga, shtuan ministri, u rahatuan mirë thanë “erdhëm për punë të mëdha”.
Punë e madhe e tyre doli të jetë emërimi i 80 zëvendësministrave. Këta të fundit njihen sot për raportet e tyre “dinamike” – material për tallje kolektive. Kur mbaruan me zëvendësministra, krijuan koordinatorë. Kështu Qeveria e Kosovës ka sot “kordinator për rini” dhe “koordinator për gjeneratë të re”; dhe kjo s’është barcoletë. Bëjeni diferencën vet.
Në menaxhimin e parasë publike treguan pangopësi. Vendimi i parë, rritja e pagave për vete. Thanë se “ju duheshin për kravatë”. Vendimi i dytë falja e 60 milion eurove prodhuesve të ujit. Thanë se “ju ka tekë”. Vendimi i tretë shtimi i 53 milion eurove Bektel Enkas. Thanë mos bëni fjalë se “i shpëtuam miliona të tjerë”. Për dy muaj shterrën rezervën shtetërore si asnjë qeveri më parë .
Në relacione ndërkombëtare prodhuan kaos. Provuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale me fillim. “Thikë pas shpinde” ishte cilësimi amerikan; “nata më e rrezikshme e Kosovës” ai britanik; në fund u kthyen ku ishin në fillim – veçse me një kosto të tmerrshme joserioziteti jashtë. Ku ishin në fillim u kthyen edhe demarkacion – veçse Kosovës i humbën 3 vjet jetë. Në fund votuan marrëveshjen e njejtë pa as edhe një ndryshim. Thanë “tash bëmë kufi të ri”. Tash, meqë ne jemi n’pushtet thanë, ju mund të lëvizni lirë.
Në dialog me Serbinë shkuan kallabllak – “hajde bac, hajde bac, bac bac bac” do të mbahet si ekskurzioni më i turpshëm kosovar ndonjëherë. Dikur nisën të flasin për kufij. Një herë për ndarje, dikur për shkëmbim, në fund për korigjim – pa strategji, pa ide, thuajse lojë shpërblyese është kjo. Eksperimentet e tyre ndërkombëtare ndaluan njohjet, vënë Kosovën në status-quo, e i dhanë Serbisë letrën e palës së barabartë kur flitet për shtetin tonë. Këndej ndërsa vendosën tu paguajnë gjithë rrymën serbëve në Veri; e kriminelin e atjeshëm Radojçiq e lartnuan si mik.
Në sjellje me publik treguan arrogancë. Kur shtinë me armë zjarri thanë “është traditë”; kur thyen ligjin thanë “punë e madhe që thyhet një ligj”; kur u shtuan 19,000 veteranë thanë “jeni hajna të gjithē” – “paguani taksë për mosluftim” ishte një alternativë.
E pra miq, çka prisni nga të tillë? Pse çuditeni? Kjo Qeveri, pa dyshim, në përbërje, në substancë, në dije, sjellje e prezantim është Qeveria më e dobët, më e dëmshme më e rrezikshme që Kosova ka patur ndonjëherë. /Telegrafi/
foto: arkiv