Telegrafi

Abdixhiku: Gjatë muajve të ardhshëm, përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të arrijnë në një pikë kritike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjatë muajve të ardhshëm, përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të arrijnë një pikë kritike.

Ai ka deklaruar se në kërkim të një përfundimi të suksesshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të mbështesin ankorimin e pakthyeshëm të Kosovës në Perëndim dhe të shmangin ndërhyrjet malinje nga Rusia dhe Kina.

Këto deklarime Abdixhiku i ka bërë në një shkrim autorial në prestigjiozen evropiane “Euractiv“.

“Kjo mund të bëhet vetëm përmes një anëtarësimi të plotë në NATO. Për këtë qëllim, njohja formale e Kosovës nga të gjithë anëtarët e NATO-s dhe BE-së është një parakusht i domosdoshëm”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Tutje, ai ka thënë se vetëm duke përforcuar sigurinë e Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja do të përmbushin prioritetet e tyre strategjike rajonale, do ta ndihmojnë Kosovën ‘të lulëzojë’ dhe do të sigurojë stabilitetin evropian.

“E ardhmja e Kosovës është në rrezik. Ne duhet të ngrihemi përpara me aleatët tanë perëndimorë për ta siguruar dhe mbrojtur atë”, ka shkruar tutje Abdixhiku.

Lideri opozitar gjithashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në parimet themelore të njohjes reciproke të dy vendeve, duke respektuar plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës.

“Përtej kësaj, anëtarësimi i Kosovës në aleancën e NATO-s duhet të jetë një hap i natyrshëm që përfundon tre dekadat e angazhimit perëndimor të vendit. Në fund të fundit, NATO ka qenë në Kosovë që nga qershori i vitit 1999; është koha e duhur që Kosova të jetë në NATO”, ka shkruar ndër të tjera kreu i LDK-së. /Telegrafi/