Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur fitoren e partisë kristiandemokrate CDU në zgjedhjet në Gjermani, duke e konsideruar këtë si një lajm të mirë për Kosovën.
“Ditë e rëndësishme për Gjermaninë; mundësi e re për Kosovën. Fitorja e Friedrich Merz dhe e CDU-së, është një dritare e re për Republikën tonë”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetet sociale.
Ai ka bërë të ditur se tashmë ka përcjellë urimet e tij për kryetarin e CDU-së, Friedrich Merz, dhe për miqtë e tij në këtë parti gjermane.
“Në çdo takim të deritanishëm me kancelarin e ardhshëm gjerman, kam marrë gjithmonë mbështetje për Republikën tonë, për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai i njeh mirë rrugëtimet tona, ai i mbështet mirë qëllimet tona”, ka shtuar ai.
Sipas Abdixhikut, fitorja e CDU-së dhe fuqizimi i së djathtës evropiane përbën një shpresë të re për Kosovën në arenën ndërkombëtare.