Telegrafi

Abdixhiku: Familja në qendër të programit politik të LDK-së

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, tashmë kandidati nga lista e po këtij subjekti për zgjedhjet e tetorit, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur një pjesë të programit të LDK-së me theks të veçantë në familjen kosovare si njëra nga pikat më të rëndësishme të këtij programi.

Me qëllim të përkrahjes së familjeve, LDK, sipas Abdixhikut, ka paraparë të implementojë për herë të parë programin inovativ për banim, duke krijuar pakon e banimit e cila në vete përmbanë kushtet të favorshme dhe përballueshme për familjet e reja kosovare.

Pako e banimit përbëhet nga financimi me normë prej 1% interes me afat për 30 vite për çiftet e reja të cilat blejnë banesë për herë të parë.

Sipas tij, familja është boshti i programit të LDK-së dhe ekipi i saj tashmë ka hartuar një plan konkret për zhvillimin e familjes kosovare.

Në këtë shpalosje, Abdixhiku ka theksuar se LDK, me qëllim të përkrahjes dhe avancimit të familjes në qeverinë në ardhje të udhëhequr nga Vjosa Osmani, do ta ketë prioritet mbështetjen financiare për familjet kosovare.

Në këtë kontekst, për çdo fëmijë të lindur parashihet një përkrahje në vlerë prej 100 euro në muaj për një vit të plotë.

Po ashtu, sistemi aktual do të avancohet duke siguruar që përveç pushimit të lehonisë ose atësisë të ketë edhe pushim prindëror. Për më tepër, në
kuadër të programit parashihet një edukim parashkollor modern.

Ndër të tjera, pritet që reforma në arsimin e ulët, si shtyllë përbërëse dhe mjaft e rëndësishme për familjet në Kosovë të përfshijë edhe mësimin gjithë ditor.

Kjo sipas Abdixhikut është dëshmuar se paraqet modelin më efektiv të mësimit për ciklin e ulët. Gjithashtu, reforma të tilla janë në përputhje të plotë edhe me praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara. /Telegrafi/