Site icon Telegrafi

Abdixhiku e Haradinaj takojnë Xhaferin, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë pritur sot në takime ndaras kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferin.

Gjatë dy takimeve është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Abdixhiku në takim me Xhaferin, ka biseduar mbi situatën politike në vend e rajon, marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm ndërshqiptar në Ballkanin Perëndimor.

“Me theks të veçantë biseduam për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe sigurinë rajonale që ky anëtarësim ofron. Vendet e rajonit, anëtare të NATO-s, kanë mbështetur e mbështesin aspiratën tonë për integrim euroatlantik; dhe në këtë moment të ri politik, ky integrim i yni merr edhe më shumë kuptim”, shkruan Abdixhiku në Facebook.


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të institucioneve shtetërore, si dhe partive politike.

Zhvillimet rajonale politike dhe të sigurisë ishin temat kryesore edhe në takimin e sotëm të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj me Talat Xhaferin, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë Veriore.


“Të dy vendet tona, kanë orientim të qartë euroatlantik, andaj duke e falënderuar për mbështetjen e deritanishme, kërkova mbështetjen e tij dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veri-atlantike NATO”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të institucioneve shtetërore, si dhe partive politike. /Telegrafi/

Exit mobile version