Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim

Në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sakrificën sublime të Familjes Jashari.

Abdixhiku ka thënë se “datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri”.

“Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit. Ata zgjodhëm lirinë prandaj dhe morën përjetësinë.

Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Më tej, ai ka shtuar se “ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim”.

“Sot, në këtë 24 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.

Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari”, thotë mes tjerash ai. /Telegrafi/

Exit mobile version