Site icon Telegrafi

Abdixhiku: Me amendamentin tim, buxhetit të Prishtinës i shtohen edhe 4 milionë euro në vit

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se është i lumtur që në Komisionin për Administratë Publike në Kuvend ka marrë mbështetje amendamenti i tij bërë Ligjit të Kryeqytetit, me të cilin ndryshim Prishtina do t’i marrë 6% të grantit në vend të 4% sa parashihej fillimisht me ligj.

Abdixhiku, përmes një postimi në Faceboook, ka thënë se “me këtë ndryshim buxhetit të Prishtinës do t’i shtohen edhe nga 4 milion euro tjera në vit, me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Prishtinës sime,

Banorëve të Kryeqytetit,

Jam jashtëzakonisht i lumtur të ju njoftoj se sot në Kuvend u mbështet amandamenti im bërë Ligjit të Kryeqytetit – me të cilin ndryshim Prishtina do t’i marrë 6% të grantit në vend të 4% sa parashihej fillimisht me ligj.

Me këtë ndryshim buxhetit të Prishtinës do t’i shtohen edhe nga 4 milion euro tjera në vit – secilin vit – me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës. Për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro. Me këto mjete mund të ndërtohen plot rrugë, çerdhe, shkolla apo edhe qendra mjekësore në Prishtinë.

Prishtina vazhdon të jetë kontribuesi më i madh i Buxhetit të Kosovës; por njëkohësisht përfituesi më i pakët i investimeve kapitale.

E pavarësisht bindjeve politike, Kryeqyteti mbetet i të gjithëve dhe duhet të trajtohet si i tillë. Dhe ky është një kontribut modest i imi për Prishtinën; qytetin ku kam lindur – qytetin që m’ka rritë me plot sfida e plot dashni.

Në emër të banorëve të Prishtinës, falenderoj secilin në Komision për Administratë Publike që mbështeti amandamentin tim”, ka shkruar Abdixhiku. /Telegrafi/

Exit mobile version