Telegrafi

Abdixhiku: 200 persona janë testuar dhe liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në detyrë, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se karantinimi në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është duke funksionuar mirë.

Abdixhiku ka bërë të ditur se mbi 500 persona janë të vendosur në disa konvikte, prej të cilëve janë testuar 200. Pasi  kanë rezultuar negativ, janë liruar për në shtëpi.

“Kushtet në Karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, ditët e para mund të kishin qenë edhe të vështira – mësuam në vështirësi – por karantinimi po funksionon. Mbi 500 qytetarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht”, ka thënë Abdixhiku.

Ministri ka theksuar se karantina ka ndihmuar shumë në mospërhapjen e Coronavirusit.

“Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontroll edhe kthim në shtëpi”, thekson ai.

Në fund ka falënderuar qytetarët që kanë qëndruar aty, shërbyesit, policët e të gjithë vullnetarët për punën e tyre deri me sot.

“Për këtë duhet falënderuar të gjithë. Qytetarët që me durim qëndrojnë aty; por mbi të gjitha shërbyesit e qendrës, të shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. /Telegrafi/