Telegrafi

Abbott: Sundimi i ligjit mbetet prioritet i Mbretërisë së Bashkuar

​Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili ka ofruar mbështetje për të përmirësuar sistemin prokurorial, me ç’ rast ka deklaruar se sundimi i ligjit ka qenë dhe mbetet prioritet i Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Ambasadorin Abbott me punën, të arriturat dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të ndryshme penale, si dhe përkushtimin e tij për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, kryeprokurori Lumezi ka folur edhe për përgatitjet dhe angazhimet e Prokurorit të Shtetit në procesin e zgjedhjeve të parakohshme, duke premtuar hetim dhe ndjekje penale për të gjithë ata persona të cilët e dëmtojnë procesin zgjedhor.

Ndërkaq, kryesuesi Hyseni e ka njoftuar Ambasadorin Abbott, me punën dhe veprimtarinë e KPK-së, dhe angazhimin e komisioneve të Këshillit në forcimin dhe avancimin e integritetit, profesionalizmit, llogaridhënies, transparencës dhe pavarësisë së sistemit prokurorial.

Në anën tjetër, Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka ofruar mbështetje për të përmirësuar sistemin prokurorial, me ç’rast ka deklaruar se sundimi i ligjit ka qenë dhe mbetet prioritet i Mbretërisë së Bashkuar.

“Të dy krerët e sistemit prokurorial dhe Ambasadori Britanik kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit, për rritjen e transparencës dhe integritetit ndërmjet institucioneve të Prokurorit të Shtetit, Këshillit Prokurorial dhe Ambasadës Britanike në Kosovë në vazhdimin e projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në një komunikatë për media.

Në fund të takimit, kryeprokurori Lumezi dhe kryesuesi Hyseni kanë falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për kontributin dhe ndihmën e vazhdueshme dhënë konsolidimit të sistemit prokurorial të Kosovës. /Telegrafi/