Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott në 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovës ka vendosur lule në memorialin për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë në vitin 1999, ndërsa theksoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mbeten miq dhe partnerë të ngushtë.
Abbott në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ushtarët britanikë vazhdojnë të mbështesin paqen në Kosovë dhe rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sot, në 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pata nderin e madh që së bashku me nënkolonelin Martin Browning të vendosim lule në memorialin për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë në vitin 1999. Martini ishte mes trupave të para Britanike që hynë në Kosovë 21 vjet më parë, kështu që ky ishte një moment i veçantë për të, që i rizgjoi kujtime të atyre ditëve vendimtare. 21 vjet më vonë, Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mbeten miq dhe partnerë të ngushtë. Jam krenar që ushtarët Britanikë vazhdojnë të mbështesin paqen në Kosovë dhe rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si edhe për rolin që Martin luan sot si këshilltar i Komandantit të FSK-së”, shkruan Abott. /Telegrafi/