Rap-artisti Arbër Mehmeti nga Mitrovica, i njohur me emrin artistik Abbi është një nga emrat më të rinj në rrymën hip-hop.
Ai e ka nisur karrierën e tij me një ‘mixtape’ me disa këngë të reja, njëra ndër to edhe kënga “Tu bërtit”, që reper e lansoi së fundmi.
Në një prononcim për Telegrafin, Abbi ka folur rreth zhvillimeve të fundit të tij në karrierë, duke rrëfyer edhe për punën e bërë rreth këngës më të fundit.
“Kam publikuar këngën e fundit me titullin “Tu Bërtit”, thjesht tematika e kësaj kënge ka për kuptim mënyrën e të shprehurit të të rinjëve në vend, pak ka shprehje revolte, gjê që kultura e Rap HipHop-it e lejon. Kjo këngë është pjesë ‘Mixtape-t tem’. Publiku e ka pritur shumë mirë, qysh në fillim kam pasur pëlqime dhe komente të mira”, tha Abbi për Telegrafin.
Në vazhdimin e bisedës, ai tregon se cilat janë vështirësit që një artist i ri sot përballet me tregun muzikor shqiptar.
“Kuptohet që tregu te ne është i vështirë, por kjo mendoj që na motivon edhe më shumë për me punu drejt kësaj rruge, çdo artist e sidomos ata që merren me Hip-Hop në fillim kanë pasur vështirësi, por shumica në fund e kanë arritur qëllimin, kështu që unë mendoj që çdo artist i ri duhet me punu shumë dhe me tregu shumë më shumë nga vetja”.
Abbi ka përfunduar punimet për ‘MixTape-in’ e tij më të ri, ndërsa thotë se është herë pas here aktiv edhe në koncerte dhe festicale.
“Unë tash sapo e kam përfunduar ‘Mixtape-in’, tashmë njerëzit kanë filluar ta vlerësojnë ‘Mixtape-in’. Projekte ka me pas vazhdimisht nga unë. Ndërsa në koncerte dhe festive këtu në qytetin tim në Mitrovicë kam marrë pjesë katër herë edhe jam shumë i lumtur me mikëpritjen e publikut ndaj meje”, përfundoi rap-artisti Abbi për Telegrafin.
Estrada Shqiptare numëron qindra artistë të rinj që synojnë tregun, dhe Abbi duket të jetë një emër mjaft premtues në zhanrin të cilit e kultivon. /Telegrafi/