Site icon Telegrafi

Abazoviq sot propozon një qeveri të re të Malit të Zi?

Koalicioni i kryesuar nga zëvendëskryeministri i tanishëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të propozojë sot formimin e një qeverie të re që do të ketë më shumë mbështetje se 41 deputetë, shkruan mediumi “Pobjeda”.

Duke iu referuar burimeve të saj, gazeta shkruan se ky është një model i tejkalimit të krizës politike në të cilën u gjend Mali i Zi pasi qeveria e Zdravko Krivokapiq humbi mbështetjen e shumicës parlamentare, përcjell Telegrafi.

Sipas informacioneve të “Pobjeda”, nga disa burime nga partitë parlamentare, qëllimi i Abazoviqit është që të gjithë deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi t’u ofrojë formimin e një pushteti të ri ekzekutiv në të cilin nuk do të kishte vend për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të PDS dhe Frontit Demokratik.

Në thelb, ai është, shkruan gazeta, një koncept i një qeverie të pakicës që do të mbështetej nga të gjitha partitë parlamentare apo koalicionet që trashëgojnë idetë e integrimit euroatlantik në parimet e tyre programore.

Sipas informacioneve të dy partive opozitare, “Pobjeda” shkruan se Abazoviq në një drekë pune në Ulqin i ka njoftuar drejtuesit e sektorit të sigurisë, ministrin e Brendshëm, Sergej Sekuloviq, dhe drejtorin e Drejtorisë së Policisë, Zoran Brdjanin, si dhe bashkëpunëtorët më të afërt për planin për të formuar një pushtet të ri ekzekutiv.

Sipas këtij plani, iniciativa për votëbesimin në qeverinë e Zdravko Krivokapiq do të dorëzohej në janar, ndërsa pushteti i ri ekzekutiv duhet të formohet deri në fund të shkurtit. /Telegrafi/

Exit mobile version