Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se përfaqësuesit malazezë do të shkojnë në Ohër për një takim të nismës Ballkani i Hapur si vëzhgues, duke theksuar se synimi i Malit të Zi është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se nuk është i interesuar për “ndonjë zëvendësim”.
“Ne nuk shkojmë në Ohër si një anëtar të Open Balkans. Ne po shkojmë si vëzhgues, do të shqyrtojmë se çfarë është e mirë për vendin, nëse rezulton të jetë e mirë, nuk kam asgjë kundër bashkimit me nismën”, citohet të ketë thënë Abazoviq në një konferencë shtypi në Budva, përpara Samitit për Demokraci në Evropën Juglindore.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ai tha se “gjithçka që çon në bashkëpunim më të madh rajonal është e pranueshme dhe se ajo që BE-ja po kërkon nga ne është të dërgojmë një mesazh se mund të biem dakord për diçka”.
Abazoviq ka theksuar tutje se emrat e iniciativave janë të parëndësishme, se nevojitet bashkëpunimi, si dhe fokusimi më i madh në ekonomi është diçka primare, duke shtuar se në takimin në Ohër do të jetë i pranishëm edhe komisioneri evropian për zgjerim Oliver Varhelyi.
“Është thelbësore që rajoni të bashkëpunojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, citohet më tej Abazoviq, duke thënë se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në atë rrugë.
“Në atë rrugë, ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Rajoni ka vuajtur pasojat e politikave të papërgjegjshme për një kohë të gjatë, ne tani duhet të lëvizim ndryshe”.
Ai theksoi se ngjarjet në Ukrainë janë një mesazh për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi kaluar nëpër luftëra, agresione. Ne e dimë se çfarë do të thotë krime lufte. Ne duhet të punojmë së bashku për të kontribuar për paqen. Ky është detyrimi ynë”. /Telegrafi/