Site icon Telegrafi

Abazoviq mbështet rivalin e Gjukanoviqit, thotë se Mali i Zi dëshiron një president të ri

Kryeministri në mandatin teknik, Dritan Abazoviq ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e procesit zgjedhor për siç ka thënë korrektësinë politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit dhe njoftoi se do ta mbështesë pa mëdyshje Jakov Milatoviqin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.

“E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale përfaqëson një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi! Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane”, ka thënë Abazoviq, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, qytetarët pa frikë votuan për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan një president të ri.

Abazoviq thotë se DPS po largohet me Millo Gjukanoviqin dhe Mali i Zi po i kthehet vetes dhe përparimit të mëtejshëm.

Lexo po ashtu Gjukanoviq dhe Milatoviq do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve për president të Malit të Zi më 2 prill

“Tani na duhet vetëm të ruajmë një atmosferë të mirë socio-politike dhe të përfundojmë një fazë tjetër të zhvillimit demokratik të vendit më 2 prill. Edhe një herë është treguar se Mali i Zi mund t’ia dalë dhe se të gjithë së bashku jemi në rrugën e duhur! Në mënyrë paqësore dhe dinjitoze deri në fitore të reja”, ka përfunduar Abazoviq.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet për presidentin e Malit të Zi, në garën e balotazhit do të garojnë kreu aktual i shtetit dhe kandidati i DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe Jakov Milatoviq, kandidati i lëvizjes Evropa Tani.

Kjo pasi që asnjëri nga shtatë kandidatët në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.

Sipas rezultateve preliminare, Gjukanoviq ka fituar 35,3 për qind të votave ndërsa Milatoviq fitoi 28.9 për qind të votave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale – të cilat u shpallën më 16 janar – do të mbahet më 2 prill.

Ndryshe, Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë ndërsa të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë. /Telegrafi/

Exit mobile version