Site icon Telegrafi

Abazoviq ankohet se dikush po i saboton projektet e qeverisë së Malit të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se nuk mund të garantojë që autostrada nga Podgorica në Kolashin do të hapet më 13 korrik dhe shtoi se dyshon se dikush po saboton përfundimin e punimeve.

“Smokovac (Podgoricë) – Matesheva (Kolasin) nuk është vetëm rruga më e shtrenjtë, por edhe më e ngadalta”, tha Abazoviq.

“Paratë po humbasin nga taksat dhe po krijohet një klimë e keqe mes nesh dhe kinezëve, por ne e kemi bërë punën tonë. Natyrisht, dikush do të jetë përgjegjës për situatën. Ne shpesh mendonim, në qeverinë e mëparshme, të punësonim dikë tjetër, por tenderët do të kërkonin shumë kohë. Personalisht, fillova të dyshoj se dikush po e sabotonte atë”, deklaroi ai.

I pari i qeverisë malazeze nuk ka dhënë më shumë detaje. Ish-kryeministri Zdravko Krivokapiq ka bërë vlerësime të ngjashme se dikush po sabotonte hapjen e autostradës, por as ai nuk dha më shumë detaje, raporton nova.

Ndërtimi i seksionit të parë të autostradës filloi në vitin 2015 dhe afati fillestar për përfundimin e punimeve ishte 11 maj 2019.

Në maj 2019, afati u zhvendos në 30 shtator 2020 dhe në fund të prillit 2021 në nëntor të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version