Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq u shpreh se partia e tij do të mbështesë një qeveri të pakicës të propozuar nga Dritan Abazoviq si e vetmja garanci për të mbrojtur vendin nga nacionalizmi serb.
Në një intervistë për Deutche Welle, Gjukanoviq tha se Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) i ka ofruar mbështetje qeverisë pakicë edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke besuar se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”.
“Qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, njëra prej të cilave është koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe. Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”, tha Gjukanoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi është “në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh i vendit është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme. /euronews.al/