Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, deklaroi të enjten se do ta pranojë në plotëni vendimin për shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.
Në një konferencë për media, Abazi tha se urdhri për shkarkimin e tij është bërë nga kryeministri Albin Kurti dhe vendimi do të merret në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk do të largohem nga Grupi Parlamentar i LVV-së. E thash në fillim që nuk kam votë kundër e as dalje nga LVV-ja. Nuk kam asnjë agjendë prapa, në kuptimin që do të kem dalje në partitë e tjera. Kjo është e kotë”.
“Nëse deputetët e LVV-së dhe opozitës vendosin me votën që të më shkarkojnë, natyrisht që do e respektoj. Por, shkarkimi duhet të vije si rezultat i analizës së kryerjes së punës apo mospunës në Komisionin Parlamentar, e jo si rezultat i urdhrave politik”, u shpreh deputeti para mediave. /Telegrafi/