Që nga themelimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve deri më tani janë bërë akademikë vetëm katër shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se duhet të krijohet një akademi paralele. Shoqatës mund t’i ofrohet krijimi i një qendre të studimeve ballkanike, ku do të ketë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga komunitetet e tjera. Tashmë ka vetëm dy akademikë shqiptarë dhe shumë pak, thotë Alajdin Abazi, përcjell Telegrafi Maqedoni.
ASHAM është e të gjithëve ne dhe është një, thotë për “Sloboden Peçat” akademik Alajdin Abazi, i cili hedh poshtë nismën e VLEN-it për themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Abazi mendon se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) duhet të hapet si për anëtarët shqiptarë ashtu edhe për komunitetet tjera, por është kundër një akademie paralele. Si zgjidhje për nismën e VLEN-it dhe të “Shoqatës Akademike për Shkencën dhe Artin e Shqiptarëve”, akademiku propozon ngritjen e një qendre ballkanistike, e cila do të ishte një institucion më vete ose në kuadër të ASHAM-it.
“Që nga themelimi i ASHAM-it deri më tani janë bërë akademikë vetëm katër shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se duhet të krijohet një akademi paralele. Mund të kërkohet një zgjidhje, t’i ofrohet Shoqatës krijimi i një qendre të studimeve ballkanike, ku do të ketë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga komunitete të tjera që janë të interesuar për veprimtari shkencore në fushën e historisë, gjuhëve, pra shkencave shoqërore. Tashmë ka vetëm dy akademikë shqiptarë dhe kjo është shumë pak.
Konkursi për pranimin e akademikëve të rinj zhvillohet çdo tre vjet. Vitin e ardhshëm do të ketë konkurs dhe pres që të ketë më shumë kandidatë, pra do të konkurrojnë edhe ata që kanë aplikuar deri më tani por nuk ia kanë dalë. Për akademikë duhet të aplikojnë më shumë kandidatë, sepse nuk mund të bëhen akademikë me vendim politik, por njerëz që e meritojnë të bëhen akademikë”, thotë Abazi./Telegrafi/