Telegrafi

Abazi pjesë e Forumit Rajonal të Selanikut, flet kundër ideve të ndryshimit të kufijve në Ballkan

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka marrë pjesë në merr pjesë në Forumin Rajonal të Selanikut 2020 “Planeti Balkanik: E ardhmja jonë në një fazë kritike”.

Nga aty Abazi, në cilësinë e folësit kryesor para pjesëmarrësve prej Ballkanit, përfaqësuesve të institucioneve Evropiane për Zgjerim dhe Integrim, Politikë të Jashtme dhe shoqërisë civile, zëvendëskryeministri i Kosovës,  shtjelloi zhvillimet politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe argumentoi kundër ideve të ndryshimit të kufijve si metodë dhe strategji për adresimin e çështjeve që janë ende të hapura në Ballkan.

“Qeveria Kurti sjell një energji pozitive, respekt për diversitetin etnik, kulturor, fetar, si dhe modelin e fokusimit në të ardhmen e Kosovës me modesti dhe përqendrim te qytetarët”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Abazi, uroi që në të ardhmen të punohet dhe të përfshihen cilësisht më shumë artistë, njerëz të kulturës dhe të realizohen shkëmbime akademike si promotorë të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Ndërkaq, për mediat në Greqi, Abazi ka thënë që njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë është forcim dhe kontribut për stabilitetin dhe zhvillimin e Bashkimit Evropian.